Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur sot në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të caktuar nga Apeli i GJKKO.
Berisha u paraqit në SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë godinës u prit nga mbështetës dhe simpatizantë të tij, të cilët protestuan kundër vendimit të drejtësisë. Ish-kryeministri hyri në ambientet e Prokurorisë pa dhënë komente për mediat.
Kujtojmë se më 3 janar, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin riktheu masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj tij, duke rrëzuar vendimin e shkallës së parë që e kishte liruar nga arresti shtëpiak më 27 nëntor 2024.
Sipas vendimit të gjykatës, Berisha duhet të paraqitet në SPAK dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë, në orën 10:00, përpara oficeres së policisë gjyqësore, Adelajda Metaj.
Ish-kryeministri akuzohet për “korrupsion pasiv” nga SPAK, një çështje që tashmë është dërguar për gjykim. I pandehur për të njëjtën vepër penale është edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.