Sali Berisha në SPAK: Nuk mora njoftim për gjyqin “Partizani”! PD ka denoncuar djegien kriminale të mbetjeve në Elbasan
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në ambientet e SPAK për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me mungesën e tij në seancën e parë gjyqësore për këtë çështje, Berisha tha se nuk kishte marrë një njoftim zyrtar, edhe pse mediat kishin raportuar për datën. “Unë njoftim zyrtar, siç duhet, nuk kisha marrë, por nuk ishte ajo arsyeja. Arsyeja ishte se, unë isha në një udhëtim, siç mund ta keni marrë vesh. Por, e vërteta është se, njoftimi zyrtar nuk kishte ardhur”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se nuk kishte marrë një shkresë zyrtare për shtyrjen e gjyqit, megjithatë e pranoi që në media ishte bërë publike data e re: “Unë gjer tani njoftim zyrtar nuk kam marrë, por unë nuk mund të them se nuk kam marrë, se ajo është dhënë në media që është shtyrë gjyqi për datën 21. Por, shkresë nuk kam marrë”, theksoi ai.
Lidhur me protestat për djegësin e mbetjeve në Elbasan, Berisha komentoi se Partia Demokratike nuk ka qenë e ftuar dhe për këtë arsye nuk ka marrë pjesë. “Nëse dikush organizon një protestë dhe ftohesh, duhet të shkosh, i paftuar nuk mund t’i marrësh protestën të tjerëve. Ka rregulla. Meritën duhet t’ua lësh atyre që po e mbajnë,” tha ai.
Megjithatë, Berisha shtoi se PD e ka denoncuar me forcë këtë çështje: “Opozita shqiptare e ka denoncuar nëpërmjet eksponentëve ose drejtuesve më kryesorë të Elbasanit, janë denoncuar në media në mënyrë të përsëritur nga Blendi Himçi, Tomorr Alizoti. Eksponentë të PD apo vetë PD ka bërë në SPAK me dhjetëra denoncime dhe ka denoncuar disa herë djegësin e Elbasanit, por ky institucion është institucioni i amnistisë së krimeve të rënda mjedisore”, u shpreh Berisha.