Sali Berisha kërkoi rrëzimin e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’, Gjykata Kushtetuese merr vendimin
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për pavlefshmërinë e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, të vendosur një vit më parë nga Gjykata e Posaçme.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese argumentoi se Berisha legjitimohej për të kundërshtuar vendimet për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, si dhe procedurën e ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për këtë masë. Megjithatë, pretendimet e tij lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatave të Posaçme, bazuar në ligjin nr. 95/2016, u konsideruan si “gjë e gjykuar” dhe nuk u shqyrtuan.
Gjykata gjithashtu refuzoi shqyrtimin e pretendimeve mbi parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave penale, duke vlerësuar se Berisha nuk kishte shteruar mjetet juridike.
Lidhur me pretendimet për cenimin e lirisë personale dhe të drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata vlerësoi se:
•Në aspektin procedural, procesi i vendosjes së masës “arrest në shtëpi” respektonte parimin e paanshmërisë dhe të drejtën për mbrojtje efektive.
•Në aspektin substancial, masa e “arrestit në shtëpi” ishte proporcionale në drejtim të nevojës dhe ashpërsisë.
Gjykata gjithashtu interpretoi se shprehja “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme”, e përcaktuar në Kushtetutë, duhet të interpretohet ngushtësisht, duke reduktuar imunitetin procedural të deputetëve në funksion të mirëqenies së Kuvendit dhe jo si një privilegj individual.
Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të rrëzojë kërkesën e Sali Berishës, duke arsyetuar se masa “arrest në shtëpi” nuk përbën kufizim të lirisë personale që kërkon autorizim nga Kuvendi.
Gjykata gjithashtu konstatoi se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se masa “detyrim paraqitje” ishte e mjaftueshme në rastin e Berishës.
Vendimi i plotë i arsyetuar i Gjykatës do të publikohet brenda afateve ligjore.