Safet Bajri depoziton kallëzim në SPAK: Po vendosin gjoba në emrin tim!
Safet Bajri, i njohur si i forti i Shkodrës ka depozituar në SPAK një kallëzim ku kërkohet një hetim pasi po vendosen gjoba në emrin e tij.
Përmes avokatit të tij, Sokol Tahiraj, ai është shprehur se po i cënohet reputacioni.
Ai ka zbuluar se bëhet fjalë për një telefon të marrë me dhunë nga Zikjan Lela, për të cilin kërkon arrestimin e tij.
“Unë i nënshkruari Safet Rustemi, pasi jam informuar që në qytetin ku jetoj , në Shkoder disa persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përdorur emrin tim për të grabitur telefona dhe përtu vendosur gjoba këtyre personave nëmënyrë që ti ktheheshin telefonat. Këtë e kanë bërë nën kërcënimin e armës duke pretenduar se këto armë ia kam dhënë unë për të kanosur, grabitur dhe gjobitur qytetarë të ndryshëm të qytetit të Shkodres. Pasi kam marrë vesh për këtë ngjarje dhe jam interesuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm SHKODER, kam marrë një procesverbal të kallzimit të bërë nga shtetasi Ermando Muhja, kundër shtetasit Zikjan Lela, ku ky i fundit i ka marrë nën kërcënimin e armës telefonin e tij iphone 12, duke përdorur emrin tim për ta grabitur këtë shtetas e provuar kjo dhe me vendimin penal nr.8 (6)datë 05.01.2025 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkoder kundër Zikjan Lela. Ndodhur për para kësaj ngjarje të cilën unë e konsideroj të rëndë për emrin dhe reputacionin tim në këtë qytet,kërkojë që nga ana juaj të hetohet kjo ngjarje dhe të arrestohet I kallëzuari Zikjan Lela dhe personat që kanë bashkëpunuar me të për të ulur figurën time , duke kryer këto vepra penale.”.
Safet Bajri ishte një ndër personat që u shoqërua në polici, pas atentatit me tre viktima në Shkodër. Vetë ai, ka deklaruar në polici se nuk ka dijeni në lidhje me ngjarjen, ndonëse dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve në Shkodër, Bajrat dhe Licët.
Pasi është pyetur, Bajri është lënë i lirë. Të vdekur nga atentati mafioz mbetën Hamza Lici, vëllai i shumë të kërkuarit, Ibrahim Lici, Arlind Bushati dhe dy qytetarë të rastësishëm.