“Sa shumë keni vjedhur” – Rama u përgjigjet kritikëve: Po fyeni 800 mijë votues, në 11 maj PS do të arrijë 1 milion!

Rama i përgjigjet kritikëve: Në 11 maj PS do të arrijë 1 milion vota, po ndërtojmë një Shqipëri me standarde

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me disa komentues në rrjetet sociale, të cilët kanë kritikuar qeverinë për korrupsion dhe për cilësinë e projekteve infrastrukturore. Përmes një postimi, ai u është përgjigjur komenteve mbi rrugën e re Shëngjin-Velipojë, duke theksuar se standardet e ndërtimit në Shqipëri po arrijnë nivelet evropiane.

Një komentues e akuzoi qeverinë se përdor fondet e infrastrukturës për të blerë vota, por Rama e quajti këtë një fyerje për 800 mijë votuesit e PS-së. Ai shtoi se në zgjedhjet e 11 majit kjo mbështetje do të arrijë në 1 milion vota, pasi qytetarët po shohin ndryshimin.

Duke iu përgjigjur një kritike tjetër se “Shqipëria nuk do të bëhet kurrë si Italia”, Rama tha: “Shqipëria nuk ka pse bëhet Itali, por mund dhe do të bëhet një copëz Italie në Ballkan.” Ai përmendi numrin në rritje të turistëve dhe organizimin e samiteve ndërkombëtare, si dëshmi e progresit të vendit.

Për komentet që e akuzonin qeverinë për korrupsion, kreu i ekzekutivit tha me ironi: “Në 12 vjet namin mbase nuk e kemi bërë, por namin e zi Shqipërisë ia kemi hequr.” Ai shtoi se më shumë rrugë, shkolla dhe spitale janë ndërtuar në këtë dekadë sesa në çdo periudhë tjetër, duke e quajtur këtë një transformim historik për vendin.