Sa është pasuria e Dua Lipës dhe si e ndërtoi ajo perandorinë e saj muzikore dhe të modës

Që nga debutimi i saj në vitin 2015, karriera e këngëtares me origjinë shqiptare Dua Lipa ka njohur vetëm ngjitje, duke u shndërruar jo vetëm në një nga artistet më të njohura në botë, por edhe në një figurë me ndikim të fuqishëm kulturor.

Me tre çmime Grammy, gjashtë çmime Brit, dy çmime Billboard Music dhe dy rekorde Guinness për arritje në Spotify dhe koncerte të transmetuara, Dua Lipa ka ndërtuar një perandori të vërtetë në më pak se një dekadë.

Sipas “Celebrity Net Worth”, pasuria neto e Dua Lipës vlerësohet në 35 milionë dollarë, një shifër mbresëlënëse që vjen nga shitjet e albumeve, turnetë botërore, kontratat me markat prestigjioze të modës dhe reklamat.

Nga punët modeste te suksesi global

Përpara se të nënshkruante me Warner Bros. Records në 2014, Dua punoi në Londër në punë të zakonshme si asistente dyqani, hostes në restorant dhe portiere në klube nate. E përshkroi atë periudhë si “të tmerrshme”, por ishte pikërisht ajo përvojë që e motivoi të ndjekë pasionin për muzikën.

Në 2015 lëshoi këngën debutuese “New Love”, ndërsa albumi i saj i parë doli në 2017. Megjithatë, ishte “Future Nostalgia” në vitin 2020 që e ktheu atë në një yll ndërkombëtar. Kënga “Don’t Start Now” arriti numrin 2 në SHBA dhe albumi shënoi pesë hite të mëdha në top lista.

Turneu “Future Nostalgia Tour” gjeneroi mbi 40 milionë dollarë vetëm në SHBA dhe Kanada, duke shitur mbi 394 mijë bileta dhe duke regjistruar një rritje të të ardhurave me 1,479% krahasuar me turneun e parë.

Dua Lipa është kthyer edhe në ikonë mode. Ajo është ambasadore e aromës “Libre” të Yves Saint Laurent, ka bashkëpunuar me Puma, Evian dhe ka sjellë tre koleksione për Pepe Jeans. Në vitin 2023 bashkëpunoi me Donatella Versace për koleksionin “La Vacanza”.

Albumi i saj më i fundit, “Radical Optimism”, konfirmoi edhe një herë pozicionin e saj si një nga artistet më me ndikim në skenën botërore të muzikës, me këngë si “Houdini”, “Training Season” dhe “Illusion”.