Rusia trondit diplomacinë botërore! Bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht regjimin e Talebanëve në Afganistan
Rusia është bërë zyrtarisht vendi i parë në botë që njeh regjimin e Talebanëve si qeverinë legjitime të Afganistanit, duke shënuar një ndryshim të madh në qasjen diplomatike ndaj këtij shteti të trazuar nga konfliktet dhe izolimi ndërkombëtar.
Lajmi u konfirmua nga Ministri i Jashtëm afgan, Amir Khan Muttaqi, pas një takimi të zhvilluar të enjten në Kabul me ambasadorin rus Dmitry Zhirnov, i cili i komunikoi vendimin zyrtar të Moskës për të njohur Emiratin Islamik të Afganistanit.
“Ky është një vendim guximtar që hap një fazë të re të marrëdhënieve pozitive, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit konstruktiv,” deklaroi Muttaqi. Ai shtoi se ky hap nga Rusia do të shërbejë si një “shembull” për shtete të tjera që ende hezitojnë të njohin qeverisjen e Talebanëve.
Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë thuhet:
“Besojmë se akti i njohjes zyrtare të qeverisë së Emiratit Islamik të Afganistanit do të japë një nxitje për zhvillimin e bashkëpunimit produktiv dypalësh mes vendeve tona.”
Rusia theksoi mundësitë për bashkëpunim në fusha si energjia, transporti, bujqësia dhe infrastruktura, duke theksuar se do të vijojë të mbështesë Afganistanin edhe në luftën kundër kërcënimeve nga terrorizmi dhe trafikimi i drogës.
Që prej rikthimit të Talebanëve në pushtet në gusht të vitit 2021, grupi ka kërkuar vazhdimisht njohje ndërkombëtare dhe mbështetje ekonomike, por pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar ka mbajtur qëndrim të rezervuar për shkak të akuzave të shumta për shkelje të të drejtave të njeriut, sidomos ndaj grave dhe minoriteteve.