Rusia sulmon me raketa Kievin, 9 të vdekur dhe mbi 60 të plagosur, shpërthime në të gjithë kryeqytetin ukrainas
Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe më shumë se 60 janë plagosur në një sulm masiv me raketa në Kiev, sipas shërbimit të emergjencës shtetërore të Ukrainës.
Është ndër sulmet më vdekjeprurëse në kryeqytetin e vendit ku po zhvillohet luftë trevjeçare, raporton BBC.
Autoritetet ukrainase kanë lëshuar një alarm për një sulm me raketa teksa janë dëgjuar shpërthime në të gjithë kryeqytetin herët të enjten.
“Rusia ka nisur një sulm masiv të kombinuar në Kiev”, ka njoftuar shërbimi shtetëror i emergjencave të Ukrainës në Telegram.
“Sipas të dhënave paraprake, nëntë persona u vranë, 63 u plagosën”, ka shtuar shërbimi, duke thënë se nga 42 personat e shtruar në spital, gjashtë ishin fëmijë.
“Kërkimet për njerëzit nën rrënoja janë duke u zhvilluar”, ka njoftuar shërbimi.
Reagimi i Trumpit ka ardhur pas deklaratës së Zelenskyt se Ukraina nuk e pranon Krimenë të aneksuar nga Rusia sepse sipas tij, kjo do të ishte antikushtetuese.