Presidenti rus Vladimir Putin ka mohuar se ai kishte si qëllim të donte të trembte kancelaren gjermane Angela Merkel, duke iu referuar vizitës së saj në Soçi në vitin 2007, kur ai solli në takimin e tyre Konin, një qen labrador femër.
Në librin e saj autobiografik, të titulluar “Liria”, ish-kancelarja shkruan se ishte në dijeni se Putini e sillte ndonjëherë qenin e tij në takime me liderë të huaj, dhe ajo i kërkoi një zyrtari të informonte stafin e presidentit rus që të mos e linte atë pranë saj.
Kur u takuan në Moskë në vitin 2006, shkruan Merkel, Putin e respektoi dëshirën e saj. Madje i ka dhënë një qen pellushi duke i thënë se “nuk kafshon”. Megjithatë, gjatë takimit të tyre në Soçi një vit më vonë, qeni i madh i zi u lirua për të eksploruar dhomën dhe iu afrua Merkelit për ta nuhatur, ndërsa kancelarja Merkel “ngriu”.
Disa gazetarë rusë qeshën ndërsa Putin përsëriti “faljen” e tij ndaj Merkelit, duke e siguruar atë se nëse ajo dëshiron ta vizitojë atë, ai nuk do ta bëjë më.
“I them sërish: Anxhela më fal të lutem. Nuk doja t’ju shqetësoja”, tha Vladimir Putin.
Në librin e saj, ish-kancelarja përshkruan ngjarjen duke menduar se Putin dëshironte të tregonte fuqinë e tij.
“U përpoqa ta injoroja qenin, edhe pse më afrohej shumë. Duke parë shprehjen në fytyrën e Putinit, mendoja ai po e shijonte situatën. A donte vetëm të shihte se si reagon dikush në një situatë të vështirë? Ishte një shfaqje e vogël e forcës? Thjesht mendova: ruani qetësinë, fokusohuni te fotografët, do të kalojë”, shkruan Merkel.