Rrumbullaku: Kemi lidhur kontakte të forta me Amerikën latine

 

Drejtuesi i Policisë së shtetit teksa foli për sigurinë në vend tha se kemi lidhur kontakte të forta me Amerikën Latine.
Në një takim me homologun Amerikan Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi operacionet e suksesshme të Policisë së Shtetit, të realizuara në bashkëpunim dhe me mbështetjen e SPAK-ut dhe të Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, që kanë mundësuar goditjen e grupeve kriminale të trafikimit dhe shpërndarjes se lëndëve narkotike, në mënyrë konsistente, me tolerancë zero ndaj çdo aktiviteti kriminal që zhvillohet, qoftë në Shqipëri apo jashtë kufijve të saj. Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm e informoi Ambasadorin, se pas sulmit kibernetik të shtatorit të 2022, të gjitha sistemet e Policisë së Shtetit tashmë janë ringritur dhe operojnë me kapacitet të plotë.

Për sa i përket trafikut të narkotikëve, ai nënvizoi thirrjen e Sekretarit të Shtetit Blinken, për krerët e shteteve, për t’i kushtuar vëmendje të veçantë trafikimit dhe shpërndarjes së drogave sintetike, të cilat janë kthyer në një rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e qytetareve. Ai u shpreh krenar për faktin që Shqipëria është pjesë e koalicionit global kundër drogave sintetike.
I informuar për rezultatet në luftën kundër korrupsionit,
Ambasadori theksoi se kjo luftë është shpallur prioritet nga administrata e SHBA-së, si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të çdo vendi. Për këtë ai kërkoi që Policia e Shtetit të punojë sa më ngushtë me SPAK-un, pasi ky i fundit ka nevojë për kapacitete që vetëm Policia e Shtetit i ka, duke përsëritur se bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut është jetik.
Ndihmës Sekretari i Shtetit Robinson u shpreh shumë i lumtur që promovimi i grave në polici përbën një qëllim dhe prioritet në vetvete për organizatën. Ai e përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për përpjekjet e tij për ta bërë Policinë e Shtetit gjithëpërfshirëse.
Nga ana tjetër, premtoi se Departamenti i Shtetit, INL dhe ICITAP do ta mbështetin pa kursim Policinë e Shtetit, për të bërë realitet këto prioritete shumë të rëndësishme. Ndërkohë, ndau lajmin se një ekip nga Departamenti i Shtetit do të vizitojë shumë shpejt Policinë e Shtetit, për implementimin e një sistemi të avancuar për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe performancës së punonjësve të Policisë.