Rruga drejt finales së Kupës, Inzaghi në dilema para Juventusit, Allegri: Di Maria vlen edhe 30 minuta!

Pas barazimit dhe polemikave në ndeshjen e parë, Juventus kërkon finalen e Kupës së Italisë ndaj Interit.

Një sukses që kërkon ta arrijë për herë të 22-të në histori, ku 14 herë ka arritur të ngre lart trofeun. Trajneri Massimiliano Allegri pranoi forcën e kundërshtarit dhe se do bëjnë gjithçka për të shkuar në raundin e fundit të kompeticionit.

“Është gjithmonë Inter-Juve, një ndeshje e shkëlqyer me finalen e Kupës për tu arritur. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar në finale. Një lojtari si Di Maria nuk i duhen 90 minuta për të vendosur, por edhe gjysmë ore” tha mes të tjerash Allegri.

Në kampin e Interit, Simone Inzaghi ka dy dyshime për lojtarët që do të hedh në fushë. Intriga më e madhe ka të bëjë me repartin e sulmit, ku në balotazh janë dyshja Lukaku apo Dzeko.

Një binom që mund të fitohet nga ana e boshnjakut, i papërdorur në duelin e fundit në kampionat. Ndërkaq, për belgun do ishte një konfirmim për paraqitjen e mirë ndaj Empolit, por që mund të krijojë më shumë tension te torinezët, për shkak edhe të 90 minutëshit të shkuar.

Në repartin e mesit të fushës, Inzaghi duhet të zgjedh mes Brozovic dhe Çahanollu. Finalisti tjetër i Kupës së Italisë do dal nga dueli mes Fiorentinës dhe Cremonese, me vjolët më të avantazhuar pas fitores 2-0.