Rrjeti i ryshfeteve në kufirin grek, 13 doganierë të Qafë Botës lihen në burg
13 nga 14 doganierët grekë të pikës kufitare në Qafë Botë janë lënë në burg me vendim të gjykatës së Igumenicës, pas një seance maratonë që zgjati rreth 20 orë. Ata akuzohen për krijim të një organizate kriminale, marrje ryshfeti, shantazh dhe abuzim me detyrën, ndërkohë që vetëm një punonjëse shpëtoi nga masa e sigurisë, pasi rezultoi e sapoemëruar dhe ende jo e përfshirë në skemë.
Arrestimet u bënë pas dy muajsh përgjime intensive dhe vëzhgime të fshehta nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme të policisë greke. Provat përfshijnë audio-përgjime, pamje filmike dhe dokumente që provojnë se vetëm në 15 ditë janë marrë të paktën 450 ryshfete me përfitime mbi 7,000 euro.
Doganiarët kërkonin rryshfet për të mos kryer kontrolle ndaj automjeteve ose për të mos regjistruar shkelje doganore. Çmimet ishin të përcaktuara: 10 euro për autobusët, 5 deri në 200 euro për makinat, ndërsa në disa raste kërcënoheshin drejtuesit e mjeteve me gjoba të rënda nëse nuk paguanin. Paratë vendoseshin në një kuti të posaçme dhe më pas ndaheshin mes punonjësve.
Gjatë arrestimeve u sekuestruan 88,000 euro cash, 10 monedha ari, 2 armë zjarri dhe sasi e vogël lëndësh narkotike. Dosja voluminoze, me mbi 2000 faqe, përfshin emrat e dhjetëra personave të tjerë, dhe sipas autoriteteve hetimet janë ende në vijim me mundësi për arrestime të tjera.