Rrjet spiunazhi në Kosovë, 5 të arrestuar për lidhje me shërbimin sekret serb – njëri rrëfen gjithçka
Pesë persona janë arrestuar në Kosovë gjatë muajve të fundit, të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili deklaroi se këto raste përbëjnë dëshmi të përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për të destabilizuar vendin.
Sipas Kurtit, në mesin e të arrestuarve janë tre shqiptarë dhe dy serbë. Kryeministri theksoi se njëri nga të dyshuarit, i identifikuar me inicialet A.V., ka pranuar fajësinë pas përballjes me provat e siguruara nga hetimet.
“Rastet përfshijnë: përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit”, shkruan Kurti në një postim publik.
Ai theksoi se institucionet e sigurisë së Kosovës janë në gatishmëri të plotë për të mbrojtur vendin nga çdo tentativë për ndikim apo destabilizim të brendshëm përmes agjenturave të huaja.