Rrjedhja e informacioneve sekrete, Këshilltari i Sigurisë së Donald Trump largohet nga posti, bashkë me zëvendësin e tij
Këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, Mike Waltz dhe zëvendësi i tij, Alex Wong, do të lënë postet e tyre, sipas Reuters.
Raportet tregojnë se Waltz dhe Wong pritet të largohen sot, por Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar.
Kujtohet se Waltz kishte marrë përgjegjësinë për një bisedë në grup, në të cilën zyrtarë të lartë po planifikonin sulme ushtarake në Jemen. Waltz gjithashtu shtoi në bisedë kryeredaktorin e Atlantic, Jeffrey Goldberg, duke rezultuar në rrjedhjen e informacionit në media.
Waltz ishte ndër të parët që u emërua nga Trumpi. Para rolit në Shtëpinë e Bardhë, ishte kongresmen nga Florida prej vitit 2019. Në kongres pati shërbyer në komitetin për Inteligjencë, Shërbime Ushtarake dhe Politikë të Jashtme.
Në të kaluarën ka qenë pjesë e Ushtrisë amerikane, duke dalë në pension pas 27 vjetësh me gradën e kolonelit.