Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në 3%, pritet të ketë efekte te kreditë afatgjata. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë Spiro Brumbulli ky vendim i Bankës së Shqipërisë u bë për efekt të frenimit të inflacionit.
“Do ndryshojë norma për të gjithë kredimarrësit ekzistues, kur ata bëjnë rifreskimin dhe korrigjimin e normës së interesit sipas frekuencave, bazuar në ndryshimet e reja të tregut. Kësaj radhe ndryshimi është i vogël, 0.25%, efekti përgjithësisht do të jetë i vogël, por në total duke krahasuar Shkurtin e vitit të kaluar me Marsin e këtij viti, sigurisht që rritja është e konsiderueshme. “
Sipas ekspertit rritja e normës bazë të interesit edhe pse e vogël, 0.25% do të sjellë ndikim edhe në sektorin bankar duke frenuar kreditimin.
“Rritja e normës bazë, e bën paranë më të kushtueshme. Në një farë mënyrë frenon huamarrjen, njerëzit i bën më të përgjegjshëm në shpenzime, pra kërkon që të ulet konsumi i tyre. Sigurisht që fillojnë dhe përzgjidhen ato aplikime për kredi që plotësojnë kushtet e reja. Sepse kredia varet nga të ardhurat e tua, dhe në kushtet kur ato të ardhura bien ti skualifikohesh për të marrë kredi. Normalisht, këto zhvillime pritet të kenë efekt në rënien e kreditimit në ekonomi.”
Inflacioni në vend është frenuar, por sërish mbetet i lartë sidomos sa i përket çmimeve të ushqimeve, të cilat nuk pritet të pësojnë më ulje. Eksperti Spiro Brumbulli thotë se zgjidhja është rritja e pagave në sektorin publik dhe atë privat.
Gazetare: Ermelinda Hoxhaj
Burimi: Klan News