Rritet numri i vatrave të zjarrit në vend! 5 ende aktive, mbi 100 hektarë të djegura dhe ndërhyrje nga ajri në Rrogozhinë
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë ende aktive dhe 1 nën monitorim.
Vatrat janë përqendruar kryesisht në qarqet Dibër, Fier dhe Tiranë, me ndërhyrje intensive nga forcat zjarrfikëse dhe helikopterë të Forcave të Armatosura.
Zjarret aktive:
•Dibër – Në Parkun Kombëtar të Lurës dhe në fshatin Sinë e Sipërme, zjarret kanë përfshirë pyje me pisha dhe dushk, me mbi 4 hektarë të djegura deri tani. Në Bulqizë, vatra e riaktivizuar në “Mali i Peladhisë” po përhapet me shpejtësi drejt “Majës së Vlashës”.
•Tiranë – Në bashkinë Rrogozhinë, zjarri që filloi më 10 korrik është përhapur në disa fshatra dhe ka shkaktuar djegien e mbi 90 ha shkurre, si dhe 70 rrënjë ullinj të rinj dhe shekullorë. Dy helikopterë kanë ndërhyrë nga ajri për të parandaluar përhapjen pranë banesave dhe pyjeve me pisha.
•Fier – Në Mallakastër, zjarri në fshatin Drenovë ka djegur 2.5 ha me shkurre dhe rreth 250 rrënjë ullinj. Një vatër është riaktivizuar sot dhe po punohet për shuarjen e saj.
Nën monitorim është vatra në “Mal Plak”, në bashkinë Librazhd, ku zjarri ka intensitet të ulët dhe situata po mbahet nën kontroll nga autoritetet lokale.
Bilanci i dëmeve:
•Mbi 107 ha bimësi dhe shkurre janë djegur;
•Rreth 100 rrënjë ullinj të djegura;
•Në Malësinë e Madhe janë dëmtuar 3 objekte që shërbenin për bagëti.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:
•25 automjete zjarrfikëse
•305 forca operacionale
•30 efektivë të FA-së, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë
Parashikimet e motit tregojnë reshje të lokalizuara sot në Shkodër, Kukës dhe Dibër. Megjithatë, rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër. Situata mund të përkeqësohet nesër.