Rritet bilanci në Teksas/ Mbi 100 viktima nga përmbytjet, dhjetëra të zhdukur
Teksasi qendror është përballur me një nga fatkeqësitë natyrore më të rënda të dekadës, pasi përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme më 4 korrik kanë marrë jetën e mbi 100 personave, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Ngjarja ndodhi gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë në SHBA, duke e kthyer një ditë simbolike në tragjedi kombëtare.
Zonat më të prekura janë përgjatë lumit Guadalupe në Qarkun Kerr, ku 84 viktima – përfshirë 56 të rritur dhe 28 fëmijë – janë konfirmuar deri më tani. Rreth 32 persona, përfshirë 22 të rritur dhe 10 fëmijë, ende nuk janë identifikuar.
Një prej goditjeve më të rënda është regjistruar në Kampin Mystic, një kamp veror për vajza të krishtera, ku 27 vajza dhe pjesëtarë të stafit kanë humbur jetën. Dhjetë vajza të tjera dhe një këshilltar figurojnë ende të zhdukur. Viktimë e përmbytjeve ishte edhe drejtori i kampit, Richard Eastland, 70 vjeç, i cili humbi jetën teksa përpiqej të shpëtonte fëmijët. “Ai vdiq si hero”, u shpreh pastori Del Way për BBC-në.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në kushte shumë të vështira përgjatë brigjeve të lumenjve të përmbytur dhe të mbushura me baltë. Shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen, ndërsa moti i keq pritet të vazhdojë. Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) ka paralajmëruar për stuhi të reja dhe për rrezik për përmbytje të tjera të menjëhershme.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar akuzat e ngritura nga kritikët se shkurtimet buxhetore në NWS kanë penguar reagimin ndaj katastrofës. Zyra rajonale e NWS njoftoi se pesë meteorologë ishin në detyrë gjatë natës kritike, një numër që konsiderohet standard për situata emergjente.