Rritet bilanci i viktimave nga tragjedia në Santo Domingo! Shkon në 226 numri i të vdekurve, trupat u dorëzohen familjarëve

Një tragjedi e përmasave të paprecedenta ka tronditur Republikën Domenikane, ku numri i viktimave nga shembja e çatisë së një lokali nate në Santo Domingo ka arritur në 226 persona. Autoritetet vendase kanë konfirmuar se të gjitha trupat e pajetë janë dorëzuar familjarëve, duke i dhënë fund një pritjeje të dhimbshme për dhjetëra familje që qëndruan ditë të tëra jashtë morgut.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 prillit, në lokalin e njohur të natës “Jet Set”, një ndër vendet më të frekuentuara të jetës së natës në kryeqytet. Në momentin e shembjes së papritur të çatisë, në skenë po performonte ylli i muzikës Ruby Perez, i cili gjithashtu humbi jetën si pasojë e kolapsit.

Fatkeqësia është cilësuar nga autoritetet dhe mediat vendase si tragedia më e madhe e shekullit në Republikën Domenikane, duke tejkaluar edhe tragjedinë e vitit 2005 në një burg në pjesën lindore të vendit, ku humbën jetën 136 të burgosur pas një zjarri vdekjeprurës.

Ministri i Brendshëm i Republikës Domenikane deklaroi: Të gjithë trupat u janë dorëzuar familjarëve. Jemi përballur me një tragjedi të jashtëzakonshme dhe prioriteti ynë ka qenë që çdo viktimë të identifikohej dhe t’u dorëzohej të afërmve në mënyrën më të ndjeshme të mundshme.

Hetimet mbi shkakun e shembjes së çatisë janë ende në zhvillim, ndërsa dyshimet e para lidhen me mbingarkesën strukturore dhe mungesën e mirëmbajtjes së lokalit.