Rrëzohet pista e atentatit në Lundër! Gruaja e Roan Brahimit nuk ishte shënjestër, zbulohet itinerari i saj dhe misteri i G Class-it tjetër

Po thellohet hetimi për atentatin e rëndë të mbrëmjes së 17 prillit në zonën e Lundrës, ku mbetën të plagosur katër persona – mes tyre dy djemtë e pronarit të “Pelikani Security”, Vesel Demiraj, një shok i tyre dhe shoferi i kompanisë së sigurisë. Të rinjtë, që udhëtonin me një automjet tip “Mercedes-Benz G Class”, u qëlluan me breshëri plumbash, por kanë shpëtuar.

Në fillim u dyshua se atentati mund të kishte si shënjestër gruan e Sidorel Prendit alias Roan Brahimi, një emër i njohur i botës së krimit i vrarë në maj 2024 në një atentat në Athinë. Por kjo pistë tashmë është rrëzuar, pasi gruaja me inicialet A.B. ka deklaruar se në momentin e atentatit ndodhej në spitalin e Lezhës – pasi vetëm një orë e gjysmë më parë i kishin vrarë vjehrrin, Gjovalin Prendin, në një atentat në fshatin Pllajë.

Sipas verifikimeve të bëra për itinerarin e saj, rezulton se A.B. është nisur nga Tirana në orën 20:15, ka mbërritur në spitalin e Lezhës në orën 21:15 dhe më pas është kthyer në banesën e saj në Lundër rreth orës 23:30, duke pasur alibi të fortë për momentin e atentatit në Tiranë.

Ndërkohë, grupi hetimor po i jep prioritet një piste të re, pasi pak minuta pas atentatit, në Lundër është konstatuar një tjetër mjet tip G Class, që ka kaluar në zonë dhe ende nuk është identifikuar për shkak të pamjeve të paqarta. Dyshohet se kjo makinë mund të ketë qenë shënjestra reale e atentatorëve dhe se mjeti i të rinjve mund të jetë goditur gabimisht.

Hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike përgjatë rrugës që të çon në Lundër, për të rindërtuar të gjithë itinerarin e automjeteve të përfshira, përfshirë atë të atentatorëve dhe të dy mjeteve G Class.

Në automjetin e goditur nga plumbat udhëtonin Dior Demiraj (11 vjeç), vëllai i tij Marko Bardhi Demiraj (17 vjeç), shoku i tyre Kian Mullaj (19 vjeç) dhe shoferi i kompanisë “Pelikani Security”, Arens Stafa (34 vjeç).