Rrëzimi i avionit “Air India”/ 241 të vdekur, i mbijetuari i vetëm i tragjedisë ajrore: Nuk e di si jam gjallë

Një 38-vjeçar ka shpëtuar mrekullisht nga rrëzimi tragjik i avionit të fluturimit 171 të Air India ku humbën jetën 241 personave të tjerë në bord.

Viswash Kumar Ramesh, 38 vjeç, arriti të telefononte familjen e tij në Britani pak çaste pasi doli nga rrënojat e avionit dhe u shpreh i tronditur: “Nuk e di si jam gjallë.”
Avioni, një Boeing 787 Dreamliner, ishte nisur nga Ahmedabad i Indisë me destinacion Londrën, por u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Ndër viktimat ishte edhe vëllai i Viswash-it, Ajay Ramesh.

Në shtëpinë e familjes Ramesh në Leicester të Anglisë, mbizotëronte një atmosferë zie dhe tronditjeje. “Ai ishte thjesht në shok”, tha vëllai tjetër i Viswash-it, Nayan Ramesh, i cili tregoi se vëllai i tij kishte arritur të bëjë një video-telefonatë me të atin menjëherë pas rrëzimit. “Avioni ynë u rrëzua… Nuk kam asnjë ide se si dola jashtë,” kishte thënë Viswash në telefonatën dramatike.

Një mjek në Indi, Dhaval Gameti, i cili e ka ekzaminuar Viswash-in, deklaroi për Associated Press se ai kishte lëndime të shumta në trup dhe ishte i çorientuar, por jashtë rrezikut për jetën. Pas mbërritjes në spital, atij iu rekomandua pushim i plotë dhe iu fik telefoni për të shmangur stresin e mëtejshëm.

Rrëfimi i mbijetesës së tij është një ngjarje e rrallë dhe tronditëse, në një tragjedi që ka prekur thellë jo vetëm familjen Ramesh, por edhe komunitetin më të gjerë në Britani dhe Indi.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)