Rrëzimi fatal i avionit në Indi, gjenden 204 trupa të pajetë! Pasagjerët me shtetësi të ndryshme – 53 britanikë, 9 portugezë dhe…

Detaje të reja janë zbuluar nga tragjedia ajrore që tronditi sot Indinë.

Një avion i kompanisë “Air India”, i nisur nga aeroporti ndërkombëtar “Sardar Vallabhbhai Patel” në Ahmedabad me destinacion aeroportin “Gatwick” të Londrës, u përplas rreth orës 13:38 me orën lokale në një zonë të banuar – konkretisht në Meghaninagar – vetëm pak minuta pas ngritjes.

Mjeti fluturues, një Boeing 787-8 Dreamliner, kishte në bord gjithsej 242 persona: 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga autoritetet indiane, mes pasagjerëve ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez. Avioni ishte në fluturimin AI 171 dhe sapo ishte ngritur nga pista 23 e aeroportit të Ahmedabad, kur pilotët lëshuan një sinjal emergjence “MAYDAY” drejt kullës së kontrollit. Menjëherë më pas, kontakti u ndërpre dhe avioni u përplas mbi një godinë që shërbente si konvikt për mjekët, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe një zjarr të madh.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë re të dendura tymi të zi dhe forca emergjence që nxjerrin të plagosur nga rrënojat, ndërsa shumë prej tyre u transportuan me urgjencë drejt spitaleve. Autoritetet kanë ngritur një korridor të gjelbër për të lehtësuar lëvizjen e ambulancave, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim.

Kapiteni i avionit ishte Sumeet Sabharwal, një pilot me mbi 8.200 orë fluturimi, ndërsa bashkëpilot ishte Clive Kunder, me 1.100 orë përvojë. Sipas Autoritetit Indian të Aviacionit Civil (DGCA), avioni kishte marrë leje ngritjeje në orën 13:39 dhe vetëm pak minuta më vonë ndodhi përplasja jashtë perimetrit të aeroportit.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka kontaktuar menjëherë ministrin e Aviacionit Civil, Rammohan Naidu, duke kërkuar përditësime të vazhdueshme dhe duke udhëzuar që të ofrohet ndihmë e menjëhershme për të prekurit.

Kryeministri i shtetit të Gujarat, Bhupendra Patel, ka urdhëruar mobilizimin e të gjitha strukturave të emergjencës, ngritjen e korridoreve të gjelbër dhe trajtimin me përparësi të të plagosurve.

Sipas një burimi të policisë i cituar nga agjencia Reuters, numri i viktimave nga aksidenti ajror tragjik në Ahmedabad të Indisë ka arritur në 290, ndërsa ende nuk është sqaruar se sa prej tyre ndodheshin në bord dhe sa ishin në tokë.

Ekspertët e aviacionit po analizojnë nëse pozicioni i flapeve të krahëve gjatë ngritjes ka ndikuar në aksident. Një video e verifikuar tregon avionin duke zbritur dhe një shpërthim të madh në momentin e përplasjes me tokën.

Analisti i aviacionit Geoffrey Thomas shpjegon se në video duket se rrotat e uljes së avionit janë ende të hapura, por flapet janë tërhequr, që është e pazakontë vetëm pak sekonda pas ngritjes. Normalisht, rrotat tërhiqen brenda 10-15 sekondave, ndërsa flapet tërhiqen gradualisht brenda 10-15 minutave.

Një tjetër ekspert, Terry Tozer, thekson se nga video nuk duket që flapet janë të hapura, gjë që mund të shpjegojë përse avioni nuk arriti të kompletojë ngritjen e duhur.

Piloti dhe lektori i aviacionit Marco Chan shton se kjo mund të tregojë një gabim njerëzor në vendosjen e flapve, por cilësia e videos është shumë e ulët për të konfirmuar këtë hipotezë.

Presidenti i Air India, N. Chandrasekaran shprehu ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave. Ai njoftoi se është ngritur një qendër emergjence për të ndihmuar familjarët dhe për të ofruar informacione.

Ramila, një grua që ndodhej pranë Spitalit Civil në Ahmedabad, ka treguar për agjencinë e lajmeve ANI se djali i saj ndodhej në konviktin e mjekëve, pikërisht aty ku u përplas avioni. “Djali kishte shkuar në konvikt për një pushim dreke, kur ndodhi përplasja. Ai u hodh nga kati i dytë për të shpëtuar dhe u lëndua, por fatmirësisht është gjallë,” tha ajo mes lotësh.

Një tjetër i afërm, Poonam Patel, tha për ANI se kunata e tij ishte pasagjere në këtë fluturim: “Brenda një ore nga nisja e avionit, mora lajmin se ishte rrëzuar. Erdha menjëherë këtu në spital,” u shpreh ai.

Ku ndodhi përplasja?

Sipas të dhënave zyrtare, avioni Boeing 787-8 Dreamliner i Air India u rrëzua vetëm pak sekonda pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Ahmedabad. Avioni humbi kontaktin kur ndodhej vetëm 625 këmbë (rreth 190 metra) mbi tokë. Sipas autoriteteve lokale, avioni u përplas në një zonë rezidenciale, konkretisht mbi konviktin e mjekëve, i cili shërben si vendbanim për profesionistët e shëndetësisë lokale.

Reagimet zyrtare dhe ndërkombëtare

Kryeministri indian Narendra Modi reagoi përmes një postimi në rrjetin X (ish-Twitter):

“Tragjedia në Ahmedabad na ka tronditur dhe pikëlluar. Është e dhimbshme përtej çdo përshkrimi. Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit. Jam në kontakt të vazhdueshëm me ministrat dhe autoritetet që po ndihmojnë në vendngjarje.”

Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, reagoi me një deklaratë:

“Pamjet që po shfaqen nga përplasja e një avioni me destinacion Londrën janë shkatërruese. Avioni kishte shumë shtetas britanikë në bord. Po informohem vazhdimisht dhe mendimet e mia janë me pasagjerët dhe familjet e tyre në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë.”

Mbreti Charles po mbahet i informuar për zhvillimet nga Pallati Buckingham, ndërsa Ministria e Jashtme britanike konfirmoi se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet indiane dhe u ka bërë thirrje qytetarëve britanikë që kanë nevojë për ndihmë konsullore të telefonojnë në numrin zyrtar: 020 7008 5000.

Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur ngushëllimet më të thella ndaj autoriteteve indiane:

“Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për pasojat tragjike të rrëzimit të avionit në Ahmedabad. Ju lutem përcillni mbështetjen dhe simpatinë time për familjet e viktimave dhe urimet e mia për shërim të shpejtë për të lënduarit.”

Kushtet e motit dhe siguria e fluturimit

Sipas ekspertit të sigurisë së fluturimeve Marco Chan, kushtet e motit ishin të qëndrueshme dhe të qarta në momentin e aksidentit. Nuk raportohej për erëra të forta, stuhi apo ndonjë dukuri tjetër atmosferike që mund të kishte ndikuar në përplasjen e avionit. Kjo e përqendron vëmendjen tek faktorët teknikë ose të mirëmbajtjes.

Deklarata e Boeing

Kompania Boeing lëshoi një deklaratë të shkurtër:

“Jemi në dijeni për raportet fillestare dhe po punojmë për të mbledhur më shumë informacione.”

Ky është incidenti i parë i këtij lloji që përfshin një Boeing 787 Dreamliner, model i cili ka fluturuar mbi 1 miliard pasagjerë që nga lançimi i tij 14 vite më parë. Ngjarja përbën një goditje serioze për reputacionin e kompanisë, e cila ende po përballet me pasoja të rënda nga çështjet teknike të linjës 737. CEO i kompanisë, Kelly Ortberg, ndodhet përpara një prove të madhe vetëm një vit pas marrjes së drejtimit të Boeing.

Sipas raportimeve, besohet se ish-kryeministri i shtetit Gujarat, Vijay Rupani, ndodhej në bord.

Lajmin e ka bërë të ditur një nga liderët e lartë të BJP-së, Bhupendrasinh Chudasama, i cili tha për mediat:

“Vijay Rupani po udhëtonte drejt Londrës me avionin e Air India. Po shkoj në spitalin civil të qytetit për të marrë informacion për gjendjen e tij.”

Ndërkohë një pasagjer britanik i ka mbijetuar mrekullisht rrëzimin tragjik të avionit Air India pranë aeroportit të Ahmedabad. Ai është i vetmi i njohur deri tani që ka dalë gjallë nga aksidenti që mori jetën e më shumë se 200 personave. Historia e tij është një dritë shprese në mes të dhimbjes së madhe dhe tragjedisë.

Komisioneri i policisë së Ahmedabad, GS Malik, konfirmoi për agjencinë e lajmeve ANI se pasagjeri po trajtohet në spital dhe është në gjendje të stabilizuar. Sipas listës së pasagjerëve, personi që mbijetoi është Vishwash Kumar Ramesh, i cili udhëtonte në vendin 11A të avionit Boeing 787-8 Dreamliner.

Mediat indiane kanë siguruar një intervistë të shkurtër me Ramesh në spital, ku ai rrëfeu momentet dramatike të aksidentit.

“Tridhjetë sekonda pas nisjes, dëgjova një zhurmë të madhe dhe më pas avioni u përplas. Gjithçka ndodhi shumë shpejt,” tha Ramesh, duke përshkruar përvojën e tij të tmerrshme.