Rrezikuan të mbyteshin në det, nënë e bijë ukrainase në gjendje të rëndë! Heroi i plazhit i shpëton nga dallgët
Dy turiste ukrainase rrezikojnë të mbyten në Lungomare – shpëtohen nga një qytetar vlonjat
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në zonën e Lungomares, pranë një plazhi privat në Vlorë, ku dy shtetase ukrainase, nënë e bijë, kanë rrezikuar të mbyten.
Sipas dëshmitarëve, dy turistet kërkuan ndihmë nga pushuesit, por vetëm një qytetar, Fitim Bozheku, hyri në det duke rrezikuar jetën për t’i shpëtuar. Ai arriti t’i nxjerrë të dyja nga uji dhe u dha ndihmën e parë në vend, deri në mbërritjen e ambulancës.
Të dyja turistet u transportuan në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhen të intubuara në gjendje të rëndë, sipas burimeve nga stafi mjekësor.
“Ambulanca erdhi me vonesë, por bëmë çmos për t’i mbajtur në jetë. U dhamë ndihmën e parë dhe frymëmarrje derisa erdhën mjekët”, tha Fitim Bozheku.
Turistët që ndodheshin në vendngjarje kërkojnë masa për rritjen e sigurisë në plazhe, duke theksuar nevojën për roje bregdetare dhe përgjegjësi institucionale.
“Duhet të ketë roje plazhi për sigurinë tonë. Ambulanca vonoi shumë, ndërsa policia mbërriti më shpejt.”
Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se janë shoqëruar gjashtë persona për verifikime, mes tyre edhe efektivë të Policisë Bashkiake, të cilët kishin për detyrë kontrollin dhe monitorimin e ambienteve të plazheve.