Rrëziku i fshehur brenda një pjate! Çfarë hanë kardinalët gjatë konklavës?
Për më shumë se 750 vjet, rregullat strikte kanë përcaktuar se çfarë kardinalët mund të hanë dhe çfarë jo për të penguar mesazhet e fshehta brenda pulës, raviolëve apo pecetave.
Këtë javë, kardinalët janë parë në Romë duke ngrënë në restorantet e tyre të preferuara. Duket se kardinalët po fitojnë sa më shumë kohë të jetë e mundur për vaktet e tyre sepse më 7 maj fillon konklava dhe 135 kardinalët do të izolohen nga bota për një periudhë të pacaktuar kohore. Votimi, fjetja dhe ngrënia do të ndodhin në një hapësirë të izoluar.
Konklavat papale janë tejet hermetike. Kardinalët qëndrojnë në një vend ku nuk hyjnë apo dalin mesazhe veç tymit që sinjalizon si ka shkuar votimi. Ajo që ndodh saktësisht në këto konklava është e panjohur, por diçka dihet: kardinalët duhet të ushqehen gjatë ditëve apo javëve së përzgjedhjes së liderit të 1.4 miliardë katolikëve.
Kodi i fshehtësisë së konklavave daton që në vitin 1274 kur Papa Gregori X përcaktoi rregullat që ende sot udhëheqin zgjedhjet e papatit. Siç ndodh me përzgjedhjen e shumë papëve, edhe e tija kishte kundërshtime. Ishte gjithashtu më e gjata sepse u deshën thuajse 3 vjet që të përmbushej kuota e dy të tretave për zgjedhjen e papës së ri. Sipas Henricus de Segusio që shërbente në atë konklavë, banorët kërcënuan që do të pakësonin ushqimin e kardinalëve për të përshpejtuar rezultatin.
Rregullat e reja të Papa Gregori X përfshinin izolimin e konklavës, çka zbatohet edhe sot dhe racionimin e ushqimit të kardinalëve. Pas 3 ditësh pa konsensus, kardinalët merrnin vetëm një vakt, pas 8 ditësh, vetëm bukë dhe ujë.
Në vitet 1300, rregullat u zbutën nga Klementi VI që lejoi tri vakte me supë, një pjatë kryesore me mish, peshk apo vezë dhe ëmbëlsirë që mund të përmbante djathë ose fruta. Racionimi nuk ka vijuar, por kontrolli i rreptë mbi konklavat po.
Historia më e detajuar sa i përket ushqimit të konklavës vjen nga Bartolomeo Scappi, shefi më i famshëm i kuzhinës gjatë periudhës së Rilindjes i cili u shërbeu Papa Pius IV dhe Pius V. Në librin e tij “Opera Dell’Arte del Cucinare”, ai zbardh sekretet e ushqimit në konklavën që përzgjodhi Papa Julius III dhe mbikëqyrjen e tejskajshme që vijon sot.