Rrëziku i bombolave të gazit dhe zjarret, shefi i zjarrfikëseve: Problem në rritje!

Përdorimi i bombolave të gazit, sidomos atyre të pakontrolluara dhe të pashqyrtuara teknikisht, përbën një rrezik serioz për banesat dhe jetën e qytetarëve. Moskalibrimi i tyre dhe shitja në subjekte të palicensuara rrit mundësinë e shpërthimeve dhe zjarreve, duke sjellë pasoja të rënda materiale dhe njerëzore.

Rasti më i fundit është regjistruar vetëm një ditë më parë në një pallat në lagjen “Pavarësia”, ku shpërthimi i bombolave të gazit shkaktoi një vatër zjarri dhe krijoi një situatë problematike. Shefi i Shërbimit Zjarrfikës, Luan Kapaj, ka theksuar se raste të tilla janë shumë të rrezikshme, jo vetëm për qytetarët, por edhe për zjarrfikësit që ndërhyjnë në situata të tilla emergjente.

Sipas Kapajt, bombolat e gazit që tregtohen në mënyrë të paligjshme janë veçanërisht të rrezikshme, pasi mungon certifikata e prodhimit, nuk dihet sa herë janë mbushur dhe në çfarë kushtesh përdoren. Për rastin e fundit, ai sqaroi se fatmirësisht bombolat kanë qenë gjysmë të zbrazura, pasi në të kundërt situata mund të kishte marrë përmasa tragjike.

Gjithashtu, Kapaj foli edhe për një tjetër zjarr të rënë një ditë më parë në Orikum. Ai vuri në dukje se në shumë raste zjarret në këtë periudhë shkaktohen nga dora e njeriut, si dhe përhapen shpejt për shkak të erërave të forta, duke rrezikuar jo vetëm banesat, por edhe vetë ekipet zjarrfikëse që ndërhyjnë në terren.

Rastet e zjarreve gjatë kësaj periudhe janë në rritje dhe lidhen kryesisht me përdorimin e pakontrolluar të bombolave të gazit, por edhe me djegien e qëllimshme të zonave për hapjen e kullotave, që shpesh dalin jashtë kontrollit dhe kthehen në një rrezik serioz për komunitetin.