Rreth 100 prokurorë angazhohen për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e Kosovës
Për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të mbrojtur votën. Në një njoftim për mediat, është bërë e ditur se janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe një numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial për të mbikëqyrur procesin zgjedhor dhe për të trajtuar çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve.
Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ka prokurori, ndërsa në ato vende ku nuk ekziston prokurori, ata do të qëndrojnë në stacione policore dhe do të bashkëpunojnë me hetuesit e Policisë së Kosovës për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, do të mbikëqyrë gjithë procesin dhe zbatimin e detyrave nga koordinatorët rajonalë dhe prokurorët e angazhuar.
Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike dhe organizatat e ndryshme që të denoncojnë çdo rast të dyshuar të keqpërdorimit ose manipulimit të votës.