Rreth 1 mijë efektivë do të angazhohen gjatë vizitës të ish-presidentit të SHBA Bill Clinton
Rreth 1 mijë efektivë do të angazhohen në total për mbarëvajtjen e masave të sigurisë gjatë vizitës të ish-presidentit të SHBA Bill Clinton sot dhe nesër në vendin tonë. Nga ku rreth 400 efektivë do të jenë të gardës dhe pjesa tjetër nga policia e shteti, një grup i Shqiponjave, një i FNSH e një i RENEA do të angazhohen për të gjitha aktivitetet, që nga mbërritja sot në Rinas deri te shoqërimi në ambientet e kryeministrisë.
Shërbimet e Policisë do jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative.
Clinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë në Tiranë pasditen e sotme ku në orën 19:00 do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Klinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.
Në orën 19:05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë zotin Bill Klinton të marrë çmimin e akorduar.
Në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-ve Bill Klinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit.