Rrëmbimi i Jan Prengës, gjyqi në Apel/ Festim Bexhdili mohon përdorimin e EncroChat, avokati kërkon pyetjen e Dritan Rexhepit dhe…
Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet procesi ndaj Festim Bexhdilit, i pandehur për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020.
Bexhdili, i cili më herët ishte dënuar me burgim të përjetshëm, po rigjykohet pasi Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin dhe ta kthejë çështjen për shqyrtim të ri.
SPAK pretendon se Festim Bexhdili ka përdorur një aparat të tipit EncroChat për të komunikuar gjatë ngjarjes, por vetë i pandehuri ka mohuar kategorikisht, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë në përdorim një pajisje të tillë.
Avokati i tij mbrojtës, Ilir Murati, ka kërkuar zyrtarisht që në proces të thirren për t’u marrë në pyetje dy të pandehur të tjerë, Aldo Majnishta dhe Dritan Rexhepi, për të sqaruar rolet e tyre në rrëmbimin e Prengës. Ai argumentoi se në komunikimet e zbërthyera nga aplikacioni tjetër i siguruar SKYECC, rezulton se nuk ka asnjë bisedë mes Altin Hajrit dhe Festim Bexhdilit.
Sipas avokatit, komunikimet tregojnë lidhje mes Altin Hajrit dhe të pandehurit Dritan Funiqi, i cili e udhëzon Bexhdilin që të “mbyllë gojën”. Gjithashtu, është kërkuar që në proces të thirret një ekspert për të interpretuar pamjet filmike të paraqitura nga prokuroria.
Sipas dosjes së SPAK, rrëmbimi i Jan Prengës është urdhëruar nga Ekuadori nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, si hakmarrje për një sasi prej 260 kg kokaine që i ishte vjedhur në Angli nga Astrit Prenga – vëllai i Janit – dhe bashkëpunëtori i tij Gëzim Dollani.
Pas rrëmbimit në Kamzë, Jan Prenga dyshohet se është dërguar në kompleksin “Golden” në Shijak, ku është mbajtur peng.
Sipas SPAK, persona që posedojnë dhe administrojnë këtë kompleks janë të përfshirë në rrëmbim. Dëshmitë e vëllait të viktimës, Anton Prenga, zbulojnë njohuri për motivin e rrëmbimit dhe përfshirjen e disa personave konkretë në këtë akt: Gentjan Doçaj, Korado Gështenja, Korado Bleta dhe Dritan Rexhepi.