Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, shtyhet seanca gjyqësore ndaj Dritan Rexhepit! Ja arsyeja
Seanca gjyqësore ndaj Dritan Rexhepit dhe të tjerëve të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës është shtyrë. Arsyeja e shtyrjes ishte mungesa e avokatit të Gentian Funiqit, Henrik Ligori. Seanca e radhës do të zhvillohet më 16 prill në orën 14:00.
Në këtë seancë, pritej të dëshmonte Festim Bexhdili, i akuzuar për përfshirje në këtë ngjarje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020. Aktualisht, ai është në proces në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Hetimi i SPAK për Rastin e Jan Prengës
Sipas dosjes së SPAK-ut, rrëmbimi i Jan Prengës është urdhëruar nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës, Astrit Prenga, kishte vjedhur 260 kg kokainë në Angli. Jan Prenga u rrëmbye në Kamzë dhe u mbajt peng në kompleksin “Golden”, ku dyshohet se ishin të përfshirë edhe personat që e administronin këtë kompleks.
Nga hetimet rezulton se organizatorët dhe rrëmbyesit e Jan Prengës janë Dritan Rexhepi, Gentjan Doçaj, Korado Gështenja dhe Gramos Rexhepi. Ata kontaktuan Astrit Prengën për të kërkuar kthimin e drogës dhe premtonin lirimin e Janit pas këtij veprimi.