Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës/ Mbërrin në Shqipëri letërporosia për t’u marrë në pyetje dëshmitarët Astrit Prenga dhe Gëzim Shullani
Është zhvilluae sot në Gjykatën e Posaçme seanca gjyqësore për çështjen e vrasjes, rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, ku të pandehur janë Dritan Rexhepi dhe Aldo Majnishta.
Gjatë seancës së sotme, Gjykata ka njoftuar se në Shqipëri ka mbërritur një letërporosi nga autoritetet britanike që lidhet me marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve të rëndësishëm në këtë çështje: Astrit Prenga, vëllai i viktimës, dhe Gëzim Shullani.
Sipas përmbajtjes së dokumentit zyrtar, autoritetet britanike kërkojnë më shumë informacion përpara se të procedojnë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, duke kërkuar sqarime të hollësishme për:
-Statusin penal të Astrit Prengës dhe Gëzim Shullanit,
-Detaje mbi pyetjet që do t’u drejtohen,
-Akuzat konkrete për të cilat nevojiten dëshmitë e tyre,
-Si dhe mënyrën se si dëshmitë mund të shërbejnë në hetimet që po zhvillon SPAK.
Në letërporosi theksohet se për këtë proces do të ngarkohet policia britanike, e cila do të realizojë marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve në bazë të pyetjeve që do t’u vihen në dispozicion nga autoritetet shqiptare.