Zhdukja e Jani Prengës, dy prokurorët e SPAK përplasen në Apelin e GJKKO për dënimin e kopshtarit
Në seancën e sotme SPAK dha pretencën për dënimin e Festim Bexhdilit, për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës ku prokurorët kërkuan dënime të ndryshme.
Për prokuroren Elida Kaçini, Bexhdili duhet të dënohet me burg përjetë, për akuzën e rrëmbimit dhe zhdukjes së trupit të Jan Prengës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Prokurori i çështjes Behar Dibra, kërkoi dënimin me 20 vite burg për Bexhdilin. Sipas tij nuk provohet që Festim Bexhdili ka vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, duke i kërkuar Gjykatës së Apelit të rikualifikojë veprën penale dhe ta dënojë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo të grupit të strukturuar.
Ndërkaq Gjykata e Apelit të Posaçëm e ka shtyrë shpalljen e vendimit në datë 25 korrik ora 11:00 për shkak të kompleksitetit të çështjes.