Rrëmbeu 21-vjeçaren në Astir dhe i iku policisë mes Tiranës, Gjykata cakton masën për Skerdi Sinën
Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Skerdi Sinën, i cili ishte shpallur në kërkim në lidhje me një ngjarje të ndodhur në muajin janar në zonën e Astirit, ku dyshohet se është mbajtur peng një 21-vjeçare.
Sina u arrestua disa ditë më parë, pas një incidenti ku iu shmang ndalimit nga policia, duke shkaktuar edhe një aksident rrugor. Para togave të zeza, i riu është shprehur se “nuk di çfarë më ndodhi, më kapi ankthi dhe u largova”.
Në lidhje me ngjarjen e Astirit, ai ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se nuk kanë mbajtur askënd me forcë dhe nuk ka lidhje me rrëmbimin e pretenduar.
Hetimet mbi rastin vijojnë, ndërsa policia po mbledh prova të mëtejshme për të vërtetuar rrethanat e ngjarjes.