Rrëfim tronditës nga Meksika/ Nga zemra e kartelit në Sinaloa: Prodhimi i fentanilit, lufta me ushtrinë dhe frika që po paralizon civilët
Një rrëfim ekskluziv nga CNN ka zbuluar detaje rrëqethëse nga brenda kartelit të fuqishëm të Sinaloas në Meksikë, tashmë i shpallur si “organizatë terroriste” nga SHBA. Në zemër të qytetit Culiacán, një reporter i CNN takohet me një anëtar të kartelit, i veshur me syze të errëta, shall që i mbulon fytyrën dhe i rrethuar nga armë automatike.
Ai rrëfen se është prodhues i fentanilit, opioidi më vdekjeprurës në botë. “Po, është e trishtueshme. Por familjet kanë nevojë të hanë,” thotë ai, duke zbuluar se kimikatet vijnë nga Kina dhe droga përpunohet në laboratorë të vegjël e të lëvizshëm në zona të izoluara të Meksikës.
Karteli, për t’iu shmangur goditjeve të ushtrisë, përdor një rrjet të sofistikuar radiosh dhe vëzhguesish të armatosur për të monitoruar çdo lëvizje të autoriteteve. Ndërkohë, qeveria meksikane ka vendosur mijëra ushtarë në kufirin verior dhe në shtetin e Sinaloas. Vetëm në 6 muaj janë arrestuar mbi 17 mijë persona dhe janë sekuestruar 140 tonë drogë, përfshirë 1.5 ton fentanil.
Por në terren, lufta është brutale. Në male, ushtria përdor helikopterë për të identifikuar laboratorë të fshehur. Në shumë raste, zbulohen vendndodhje të braktisura pak orë më parë. Një pankartë e gjetur nga ushtria i ofronte “marrëveshje” në këmbim të bashkëpunimit, dëshmi e përpjekjeve për të korruptuar autoritetet.
Ndërkohë, karteli është përfshirë në një luftë të brendshme për pushtet, pas arrestimit të dy figurave të rëndësishme: Ismael Zambada García (El Mayo) dhe Joaquín Guzmán López, djali i El Chapos. Dyshohet se një tradhti mes tyre ka shkaktuar përçarje të thellë dhe rritje të dhunës. Vetëm në një vit janë vrarë mbi 1,200 persona, shumë prej të cilëve civilë të pafajshëm.
Në këtë realitet të errët, dhimbja më e madhe bie mbi gratë dhe fëmijët. Një rast që ka tronditur opinionin është ai i Vivian Karely Aispuro, 26 vjeçe, e cila u gjet e pajetë pas 17 ditësh. Familjarët e saj dëshmojnë se ajo nuk kishte lidhje me kartelët, por sot nuk ka më rregulla.
“Kam frikë të jem grua në Meksikë,” thotë motra e saj Alma. “Të ecësh në rrugë është si të shkelësh mbi mina.” Ndërsa lufta kundër drogës vazhdon, ekspertët paralajmërojnë: pa një ndryshim të kërkesës për fentanil në SHBA, kjo luftë nuk do të përfundojë kurrë.