Rrëfim i rrallë/ Brad Pitt flet për herë të parë për ndarjen nga Angelina Jolie
Në një nga rrëfimet më të rralla për jetën e tij personale, aktori hollivudian Brad Pitt ka folur për revistën GQ, duke prekur për herë të parë publikisht ndarjen e tij nga Angelina Jolie, si dhe sfidat me të cilat është përballur për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm mediatik.
Intervista vjen në kuadër të promovimit të filmit të tij më të ri “F1”, ku aktori rrëfen se edhe pse është i mësuar me vëmendjen e mediave për mbi 30 vjet, ajo ka ndikuar thellë në jetën e tij personale.
“Jeta ime personale është gjithmonë në lajme. Për 30 vjet!”, tha Pitt, duke shtuar se nuk ka pasur kurrë një mënyrë për t’u larguar vërtet nga kjo vëmendje.
“Gjithmonë ka qenë një shqetësim me të cilin më është dashur të përballem, në shkallë të ndryshme, qoftë i vogël apo i madh, pasi bëj atë që dua vërtet të bëj. Është një lloj humbjeje kohe bezdisëse, ose edhe një humbje kohe, nëse e lejon të jetë kështu”, tha ai.
Megjithatë, Pitt duket se ka gjetur një ekuilibër të brendshëm emocional, larg presionit publik që ka shoqëruar çdo hap të jetës së tij.
“Në thelb ndihem bukur… Jeta ime është relativisht e rrënjosur. Ndjej ngrohtësi dhe siguri me miqtë e mi, me të dashurit e mi, me familjen time, me dijeninë se kush jam. Pra, e dini, është si një mizë që gumëzhin pranë meje herë pas here”, u shpreh ai.
I pyetur konkretisht për divorcin nga Angelina Jolie, të cilin publiku dhe mediat kanë ndjekur me interes të jashtëzakonshëm që nga ndarja e çiftit në vitin 2016, aktori dha një përgjigje të qetë dhe të matur, larg dramatizimit.
“Jo, nuk mendoj se ishte diçka kaq e rëndësishme. Thjesht diçka që mori fund. Ligjërisht”, tha Pitt me një ton të shkëputur, duke dhënë përshtypjen se tashmë ka vendosur një distancë emocionale nga kjo periudhë e jetës së tij.