Donaldi dhe Bora do ishin të zënë me prodhime kinematografike këtë sezon të ri, por jo vetëm, teksa duket se edhe Romeo do të jetë në ekran, por jo në atë të kinemasë, por atë të televizionit me një serial mjaft interesant.
Po flasim për “Love Bugs”, një format që në vende si Italia transmetohet që prej vitit 2004, me protagonistë personazhe mjaft të njohur si Fabio de Luigi, Michelle Hunziker, Giorgina Surina etj, teksa shfaqja televizive sjell pikërisht të famshmit e showbiz-it, nën një “cati”, të cilët duhet të bëjnë gjithcka bashkë, që nga punët më të “rëndomta” tek gjërat e dashurisë, të gjitha si një cift i vërtetë.
E duket se në Shqipëri “Love Bugs” do të vijë me emrin “Tenxherja Kapakun”, një projekt që është paralajmëruar disa kohë më parë, ku është konfirmuar se protagonistët do të jenë një këngëtare e një aktor, megjithatë si “Kryefjala” bëhet fjalë pikërisht për Romeo Veshajn dhe Elvana Gjatën.
Një dyshe mjaft interesante, nëse do të konfirmohet, teksa do jemi kuriozë t’i shohim në të njejtën strehë, nën provat dhe sfidat që jetesa bashkë do t’i sillte, ndërsa po ashtu mësohet se në të njejtën kohë Elvana është e zënë edhe me xhirimet e filmit të dytë “Dy herë Mjaltë”, një produksioni mjaft i suksesshëm i Ermal Mamqit.