Roland Bejko takim me banorët e Laprakës: Do ndërtojmë fusha sportive në çdo lagje


Kandidati i Partisë Demokratike, Roland Bejko, në ditët e fundit të fushatës, zhvilloi një takim me qytetarët në zonën e Laprakës. Teksa dëgjoi shqetësimet e tyre, Bejko u premtoi atyre ndërtimin e më shumë hapësirave sportive, një problem jo vetëm në Laprakë, por në të gjithë kryeqytetin. Ai shtoi se këto hapësira do të jenë falas.

Kandidati demokrat tha se fushat publike do të jenë falas për të gjithë qytetarët dhe jo me pagesë siç janë deri më tani. Po ashtu, Bejko tha se do të angazhohet edhe për ndërtimin e qendrave rekrative, të cilat do të jenë falas për personat që s’kanë mundësi t’i aksesojnë.

“Shoh këtu që janë disa fusha për fëmijët që luajnë. Nëpër Tiranë fusha të tilla minikalceto, volejbolli e basketbolli janë zhdukur. Ashtu si janë zhdukur komplekset sportive, ose anekset sportive të stadiumeve të cilat i kanë kthyer pallate, siç ka qenë aneksi i stadiumit te Qemal Stafa, ose aneksi i stadiumit tek ish-stadiumi Dinamo. Ose siç kemi një fusha futbolli këtu në Laprakë, u diskutua të jepej për shesh ndërtimi, po tani është një fushë futbolli por me pagesë kundrejt rezidentëve që anë në lagje Nëse unë do jem kryetar i bashkisë tiranë, rezidentët e lagjes Laprakë nuk do të hyjnë të luajnë në këtë fushë me pagesë, do ta kenë falas. Është fusha e tyre, kanë paguar për vite me radhë infrastrukturën shkollore dhe sportive.

Gjithnjë e më pak mungojnë terrene sportive, për të mos fol pastaj për qendra rekreative, që do të thotë të ketë pishina publike, të ketë salla sporti. Këto mungojnë, ndërsa ne do ti ndërtojmë këto salla, ku të ketë pishina verore e dimërore te mbuluara, aty të ketë palestra publike dhe njëkohësisht qytetarët që nuk i kanë kushtet të ushtrojnë sporte t ë ndryshme do subvencionohen nga bashkia dhe do të marrin një biletë falas për tu futur në këto mjedise”, u shpreh Bejko.