Roland Bejko-Berishës: Hiq duart dhe ik, lëri demokratët të fitojnë


Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës Roland Bejko i ka bërë thirrje Sali Berishës që të ikë dhe të mos i mbajë më peng demokratët. Ai e ka konsideruar aleancën e tij me Ilir Metën si tradhti historike.

“Unë e shikoj politikën si mision dhe jo si përfitim. Jam një idealist i pandreqshëm, siç më thotë një miku im. Si mund të pranonim një ‘non grata’ nga Perëndimi. Si mund të pranonim ne që demorkattë të përfaqësoheshin nga një socialist si Ilir Meta. Ne nuk mund ta pranonin këtë poshtërim. Grabitqarin politik Ilir Meta Sali Berisha e ka futur në gjirin e demokratëve. Kjo është tradhti historike, një thikë pas shpine që i kë futur demokratëve dhe Shqipërisë Sali Berisha.  Hiqni dorë nga sulmet mbi Partinë Demokratike. Hiqni dorë nga pengimi i PD në misionin e saj për integrimin e Shqipërisë. Sali Berisha hiqi duart dhe lëri demokratët të fitojnë. PD nuk është pronë e juaja. Sali Berisha, e djathta shqiptare nuk ka lindur me ju dhe nuk ka për t’u shkatërruar nga ju. Jep dorëheqjen, i je futur një rruge të pashpresë dhe kërkon të futesh në këtë rrugë gjithë Shqipërinë”, tha Bejko.