Rithemelimi akuzoi Ramën për dhunën ndaj avokatit, Balla i përgjigjet Berishës: Zotëria i penxheres hedh helm për t’u vetëviktimizuar, ngjarja po ndiqet nga Policia e Shtetit


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Balla: Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi. Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve. Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falënderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor!