Rita Ora përmbys traditën: “Isha unë që i propozova martesë Taika Waititi-t!”

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka zbuluar një detaj nga marrëdhënia e saj me regjisorin e njohur Taika Waititi, duke thyer një nga traditat më të rrënjosura të martesës: ishte ajo që bëri propozimin.

E ftuar në podcastin “Begin Again” të prezantueses Davina McCall, Rita, 34 vjeç, tregoi se ishte gjatë një udhëtimi romantik në Palm Springs kur vendosi të bëjë hapin e madh.

“E bëra gjithë gjënë vetë,” – tha ajo. “Ishim në një dhomë të bukur hoteli, me tullumbace dhe tortë – që është gjëja ime e preferuar në botë.”

Këngëtarja kishte përgatitur edhe unazat, të thjeshta dhe jo shumë të ndritshme. Momenti ishte aq spontan dhe i ngrohtë, saqë edhe vetë Taika mbeti i habitur: “Ai më pyeti: ‘Është Shën Valentini?’ dhe unë iu përgjigja: ‘Jo, por nëse do thuash jo, do më duhet të heq rrobat.’”

Regjisori 49-vjeçar e pranoi me kënaqësi propozimin dhe çifti u martua më 4 gusht 2022 në një ceremoni private në Los Angeles, organizuar për vetëm dy javë, në mënyrë që edhe vajzat e Taika-s të merrnin pjesë.