Ristrukturimet e kredive pësuan rënie të ndjeshme vitin e kaluar
Ristrukturimet e kredive pësuan një rënie të ndjeshme vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e ristrukturuar gjatë vitit 2022 kishte vlerën e rreth 3.6 miliardë lekëve, në rënie me pothuajse 87% krahasuar me vitin 2021. Kredia e ristrukturuar përbënte vetëm 1.3% të fluksit vjetor të kredisë së re ose 10% e stokut total të kredive me probleme.
Portofoli i prekur më shumë nga ristrukturimi i kredisë ishte ai i kredisë për bizneset dhe veçanërisht kreditë për degën e industrisë. Ristrukturimet kanë prekur në masë të përafërt si për kredinë në lekë, ashtu edhe për atë në valutë.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, klientët kanë kërkuar kryesisht ndryshim të produktit të kredisë, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë ristrukturimi i kredisë është bërë kryesisht në formën e zgjatjes së afatit të maturimit dhe ndryshimit të principalit.
Rënia e ristrukturimeve është një tregues se cilësia e portofolit të kredisë nuk ka pasur presione shumë të rëndësishme përkeqësuese. Por, një arsye tjetër që ristrukturimet kanë rënë ndjeshëm krahasuar me dy vitet e mëparshme është edhe përfundimi i masave të përkohshme lehtësuese që aplikoi Banka e Shqipërisë në periudhën e pandemisë. Ky instrument rezultoi mjaft efikas për të mbajtur nën kontroll treguesin e kredive me probleme.
Kuadri i Bankës së Shqipërisë për administrimin e rrezikut të kredisë së bankave parashikon që, në rast se një kredi ristrukturohet, ajo duhet të klasifikohet automatikisht si kredi me probleme, edhe në rastet kur ajo është shlyer rregullisht deri në momentin e ristrukturimit.
Rregullorja kërkon që në vazhdim kredia e ristrukturuar duhet të mbajë statusin e kredisë me probleme për të paktën gjashtë muaj, kohë gjatë të cilës duhet provuar se huamarrësi ka qenë në gjendje të shlyejë rregullisht pagesat pas ristrukturimit.
Në kushte normale, kjo dispozitë e rregullores bën që bankat të mos kenë interes të pranojnë ristrukturime, sepse kreditë në fjalë duhet ti klasifikojnë si kredi me probleme dhe duhet të llogarisin provigjione për to.
Por, në periudhën mars 2020-mars 2021, këto kërkesa të rregullores u pezulluan, me qëllim lehtësimin e ristrukturimit të kredive të bizneseve dhe familjeve të prekura nga efektet e pandemisë. Kjo masë ndihmoi që raporti i kredive me probleme të mos rritet as gjatë periudhës pandemike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për dyvjeçarin 2020-2021 bankat ristrukturuan rreth 52 miliardë lekë kredi të bizneseve dhe individëve.
Mekanizmi i lehtësimit të ristrukturimeve konsiderohet nga Banka e Shqipërisë si një nga masat rezervë për tu aplikuar, në rast se sektori financiar do të përballet me një rritje të kreidve me probleme. Në muajt e parë të këtij viti rritja e kredive me probleme ka pasur përmasa mjaft të vogla. Në fund të shkurtit, raporti i kredive me probleme ishte afërsisht 5.2%, me një rritje të lehtë nga niveli 5% ku qëndronte në fund të vitit 2022./monitor