Rinumërimi nxjerr “skarco” Zegjine Çaushin, Bardho i merr mandatin me 10 vota
Zegjine Çaushi, e famshme për “rivalitetin” e saj me Gazment Bardhin ka humbur mandatin e deputetes.
Pas rinumërimit të votave në zgjedhjet e Qarkut të Fierit, Zegjineja mori 10 vota më pak se Maldrita Bardho.
Çaushi u shpall fituese e mandatit të 12-të me 61 vota më shumë se kandidatja për deputete Maldrita Bardho. Nga rinumërimi, Zegjine Çaushi humbi 48 vota, ndërsa Maldrita Bardhos iu shtuan 26 vota, lëvizje këto që e ndihmuan të përmbyste rezultatin.
Votat për partitë
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet i Adriatik Lapajt, nuk ia doli dot të fitojë mandatin e deputetit, të cilin synonte t’ia merrte Partisë Socialiste. Kjo e fundit e forcoi pozitën e saj duke iu shtuar 30 vota plus nga rinumërimi. Ndërkohë, koalicionit të Lapjat iu zbritën 8 vota nga rinumërimi, i cili mund t’ia merrte mandatin PS-së vetëm nëse i shtoheshin 519 vota nga rinumërimi.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe në këtë qark (si në Tiranë) kryesoi me numrin e votave të pamerituar, së cilës nga rinumërimi iu zbritën 147 vota. Po ashtu, Lëvizjes Bashkë i janë zbritur 12 vota, Koalicionit Djathtas për Zhvillim dhe Partisë Mundësia i zbriten nga 3 vota. Vota këto që nga rinumërimi konsiderohen të pavlefshme, ose që iu janë marrë partive të vogla. PSD-së së Tom Doshit i shtohen 8 vota dhe 3 vota i shtohen Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës.
Lëvizja më e madhe e votave është bërë te kandidatët, teksa u mbyll edhe rinumërimi në këtë proces. Te socialistët, Ceno Klosi rezulton me numrin më të lartë të votave të pamerituara, me 830 deri më tani, të cilat i zbriten nga rezultati fillestar. Kandidatit tjetër Klevis Jahaj i shtohen 498 vota që i janë hequr nga numërimi i parë.
Në PD, edhe pse 4 deputetët e dalë janë të listës së mbyllur, janë evidentuar humbje të konsiderueshme. Silva Hasaj është kandidatja me më shumë vota të pamerituara, 671 vota, ndjekur nga Gentian Çela me 192 vota.