Rinumërimi i votave në Tiranë, PD dhe PS humbin qindra vota, partitë e vogla përfitojnë vota shtesë

Vijon edhe sot procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Tiranës, proces që po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet. Sot është dita e katërt e rinumërimit, ndërsa sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë hapur 355 kuti nga 1282 që ka gjithsej qarku, ose rreth 30% e totalit.

Nga të dhënat e deritanishme, Partia Demokratike rezulton se ka humbur 177 vota që në numërimin e parë ishin regjistruar gabimisht në favor të saj, ndërsa Partia Socialiste ka humbur 170 vota të pamerituara. Edhe partitë e tjera kanë pasur ndryshime në rezultat: Nisma Shqipëria Bëhet ka humbur 20 vota, Lëvizja Bashkë 15 vota dhe Partia Social Demokrate e Tom Doshit ka humbur 22 vota të cilat më 11 maj ishin regjistruar gabimisht si të sajat.

Nga ana tjetër, disa prej partive të vogla kanë fituar disa vota më shumë në procesin e rinumërimit. Koalicioni i Lulzim Bashës ka përfituar 15 vota më shumë, ndërsa koalicioni i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka përfituar 6 vota shtesë.