Rinumërimi i votave në Fier, Bardhi: SPAK të mos vonojë hetimet për Ceno Klosin! Mandatet u trafikuan në tavolinë
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas përfundimit të procesit të rinumërimit të afro 2000 kutive të votimit në tre qarqet kryesore të vendit, duke i bërë thirrje SPAK-ut që të mos vonojë më hetimet për rastin e Fierit dhe kandidatin socialist Ceno Klosi.
Sipas Bardhit, rinumërimi ka nxjerrë në dritë manipulime të rënda, përfshirë trafikimin e mandateve në mënyrë të hapur dhe të dokumentuar, në sy të publikut dhe mediave.
“SPAK nuk ka asnjë arsye pse të vonojë hetimet për Belinda Ballukun dhe Ceno Klosin. Vjedhjet në çdo drejtim duhet të ndëshkohen,” shkruan Bardhi në një reagim të publikuar në rrjetet sociale.
Në qarkun e Fierit, kandidati i PS-së Ceno Klosi ka rezultuar me rreth 800 vota më shumë nga sa ishte deklaruar fillimisht në zgjedhjet e 11 majit, gjë që Bardhi e cilëson si dëshmi të qartë për manipulim dhe abuzim me votën.
Deputeti demokrat i quan të pajustifikueshme përpjekjet për ta relativizuar këtë situatë si “gabim njerëzor” dhe e vendos këtë fenomen në të njëjtin nivel me aferat korruptive të denoncuara nga opozita.
“Vjedhja e votave masivisht deri në trafikimin e mandateve është ‘gabim njerëzor’ aq sa është ‘gabim njerëzor’ vjedhja e:
-80 milion eurove me dy TEC-et lundruese në Vlorë;
-180 milion eurove në aferën e shitblerjes së energjisë elektrike;
– 50 milion eurove në aferën e Tunelit të Llogarasë,” thekson Bardhi.
Postimi i Bardhit:
“Rinumërimi i rreth 2000 kutive në 3 qarqet kyesore të vendit, nxorri në sipërfaqe vetëm atë që të gjithë e dinim: sa e pangopur në vjedhje është Belinda Balluku alias Zeqine Balluku.
Vota të trafikuara që arrinin deri aty sa kishin trafikuar edhe mandate në tavolinë, në mënyrë të panevojshme, hapur dhe në sy të kamerave e opinionit publik, provon qartë se çfarë ka qenë në gjendje të bëjë larg kamerave dhe vëmendjes së opinionit publik.
Vjedhja e votave masivisht deri në trafikimin e mandateve është “gabim njerëzor” aq sa është “gabim njerëzor” vjedhja e:
❌ 80 milion eurove me dy TEC-et lundruese në Vlorë;
❌ 180 milion eurove në aferën e shitblerjes së energjisë elektrike;
❌ 50 milion eurove në aferën e Tunelit të Llogarasë.
Vjedhjet në çdo drejtim duhet të ndëshkohen dhe SPAK nuk ka asnjë arsye të vonojë hetimet për Belinda Ballukun dhe Ceno Klosin. Nëse vjedhjet në ushtrimin e detyrës mbeten të pandëshkuara, atëherë kalohet lehtësisht tek vjedhja dhe deformimi i vullnetit të qytetarëve, me shpresën që janë të paprekshëm.