Rinumërimi i votave/ KAS rrëzon kërkesën e PS! Zegjine Çaushi rrezikon mandatin

Sot është dita e katërt që në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” po vijon rinumërimi i votave për qarkun e Tiranës. Deri tani janë hapur 355 kuti, që duket se po tregojnë trafikimin e fletëve të votimit brenda listës preferenciale të kandidatëve.

Rinumërimi i kutive të Tiranës po shënon një fenomen të shpalljes së pavlefshme të qindra votave që ishin llogaritur si të rregullta nga numërimi i parë i bërë nga komisionerët politikë.

Një ditë më parë Partia Socialiste i bëri një kërkesë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve sa i përket rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës.

PS kërkoi që të llogariten si vota për kandidatët edhe rastet kur x ose y është vendosur jashtë kuadratit në fletë, ose përbri tij, por KAS e ka rrëzuar.

KAS ka vendos të quajë të sakta vetëm ato raste ku “X” ose “+” është vendosur saktësisht brenda kutisë së bardhë para emrit të kandidatit dhe ka shpallur të pavlefshme çdo votë tjetër ku shënimi për kandidatin është bërë në një formë tjetër. Kjo ka bërë që shumë figura të njohura nga të dy krahët të humbasin vota, por kush rrezikon më shumë brenda PS?

Deri tani Xhemal Qefalia ka 120 vota më shumë, ministri Ervin Hoxha 99 vota më shumë, kandidatja për deputete Kejsi Elezi rezulton me 86 vota më shumë në procesverbalë se sa kishte në kutinë e votimit, ndërsa Fatmir Xhafaj ka 63 vota më shumë, dhe Erion Braçe me 19 vota plus.

Në listën e hapur të PS-së, në garë deri në fund ishin Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Por rinumërimi deri tani, duket se nuk e ndryshon faktin që Xhaçka vijon të mbajë mandatin e deputetes.

Edhe pse në Tiranë kjo duket se gjithsesi nuk do të ketë ndonjë ndikim, kjo praktikë mund të jetë me kosto më qarkun Fier. Aty kandidatja fituese e PS, Zegjine Çaushit, ndahet me 40 vota me kandidaten tjetër pasardhëse Maldrita Bardho. Diferenca e ngushtë e bën atë të rrezikuar.

Kjo ngelet për tu parë pas rishikimit të votave të Fierit, proces i cili do të nisë pas Tiranës. Për Fierin do të hapen 587 kuti.