Rinis transferimi i emigrantëve nga Italia drejt Shqipërisë! Mbërrin në Shëngjin anija “Casiopea” me 49 persona
Pas një ndërprerjeje mbi dy mujore, marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve është aktivizuar sërish. Sot në portin e Shëngjinit ka mbërritur anija ushtarake italiane “Casiopea” me 49 emigrantë nga vende si Egjipti, Bangladeshi, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Anija, e nisur nga Lampedusa të premten, duhej të mbërrinte më 27 janar, por për shkak të një defekti në bord, lundrimi u shty për 28 janar. Emigrantët do të strehohen në qendrën e Gjadrit, sipas modelit të dakordësuar Italo-shqiptar.
Ky është kontingjenti i tretë që transferohet në Shqipëri në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Më herët, më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija “Libara” solli dy grupe emigrantësh, të cilët më pas u rikthyen në vendet e tyre të origjinës, pasi Egjipti dhe Bangladeshi u klasifikuan si vende të sigurta nga drejtësia italiane.
Pasi përballoi sfida ligjore, qeveria italiane rifilloi operacionet për transferimin e emigrantëve, pas një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që i dha të drejtë qasjes së kryeministres Giorgia Meloni. Sipas vendimit, çdo shtet anëtar mund të përcaktojë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta.
View this post on Instagram