Ditën e sotme nis sesioni i ri parlamentar, ndërsa në fokus do të jenë një sërë nismash të papërfunduara. Që edhe kjo vjeshtë do të karakterizohet nga përplasje mes mazhorancës dhe opozitës u paralajmërua që në mbledhjen e parë të konferencës së kryetarëve, ku nuk u ra dakord për miratimin e programit dhe kalendarit të punimeve të Kuvendit.
Në orën 10:00 do të nisë sesioni i pestë të legjislaturës së 10 në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo rinisje e punimeve të Kuvendit vjen me ndryshime në grupet parlamentare, me socialistët që do te kenë një drejtues të ri dhe kampet e PD-së që vijojnë të bashkohen disa e të ndahen disa të tjerë mes tyre.
Nga java e parë e shtatorit e në vijim, në fokus të diskutimit do të jenë një serë projektligjesh të rëndësishme, disa prej tyre të mbartura nga sesioni i kaluar. Ligji për bashkëpunëtorët e ish sigurimit, do të jetë prioritet për socialistët, ku personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të mund të zgjidhen më në asnjë post të rëndësishëm e aq më pak të kandidojnë për deputet apo kryetarë bashkie. Kjo pikë i ka kaluar komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Një pikë shumë e rëndësishme është zgjedhja e emrit të ri të Avokatit të Popullit, pasi në mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakordësi gjatë vitit të kaluar. Procedura do të rinisi edhe njëherë nga e para, ndërsa më herët, në cilësinë e kreut të grupit socialist Taulant Balla u shpreh se afati i opozitës kaloi, tanimë mazhoranca do të dëgjoj të gjitha grupet e interesuara për t’i dhënë vendit një figurë dinjitoze. Pavarësisht kësaj deklarate të gjitha palët duhet gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi për miratimin në parlament kërkohen 84 vota pro.
Dy nisma të tjera të rëndësishme që do të jenë prioritet për qeverinë janë edhe amnistia fiskale dhe pasaportat e arta. Pavarësisht se të dyja propozimet janë kundërshtuar nga ndërkombëtarët, Socialistët shprehen të vendosur për t’i shkuar deri në fund zotimit të tyre. Në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 Majit, në këtë sesion të ri parlamentar pritet të mos mungojnë as debatet mes forcave politike.
Kuvendi i zhvillon punimet vjetore kalendarike në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit.