Rikthimi i fuqishëm i Diddy? Gjykata përjashton akuzat për trafik dhe rrëmbim

Vetëm një ditë përpara prezantimit të argumenteve përfundimtare në gjyqin ndaj reperit dhe producentit të njohur amerikan Sean “Diddy” Combs, prokuroria ka bërë një hap të papritur: është tërhequr nga disa prej akuzave më të rënda ndaj tij, përfshirë rrëmbimin, tentativën për zjarrvënie, si dhe ndihmën apo mbështetjen në trafikimin seksual.

Sipas dokumenteve të gjykatës në New York, prokurorët nuk kanë arritur të sjellin prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimin se Diddy kishte rrëmbyer ish-punonjësen Capricorn Clark, e cila u raportua se ishte dërguar në një magazinë dhe i ishte bërë një test me detektor gënjeshtre. Po ashtu, u tërhoq edhe akuza që lidhte artistin me mbajtjen e ish-partneres së tij Cassie kundër dëshirës së saj në një hotel në Londër, si dhe pretendimi se Diddy kishte urdhëruar djegien e makinës së reperit Kid Cudi nga xhelozia.

Pavarësisht këtij zhvillimi, prokuroria nuk i ka hequr të gjitha akuzat për trafikim seksual, disa pjesë të çështjes mbeten në fuqi. Konkretisht, autoritetet theksojnë se mungesa e dhunës fizike ose pagesa për aktet seksuale nuk përjashton mundësinë që një grua të jetë detyruar të përfshihet në trafikim seksual. Po ashtu, ato kërkojnë që jurisë t’i shpjegohet qartë se pëlqimi i dhënë më parë për marrëdhënie seksuale mund të tërhiqet në çdo moment.

Kjo kthesë e re mund të ndikojë ndjeshëm në rrjedhën e vendimit të jurisë, e cila pritet të nisë shqyrtimin e çështjes brenda pak ditësh. Procesi ndaj Diddy ka qenë një nga më të ndjekurit e viteve të fundit, me pasoja të mëdha për industrinë e muzikës dhe figurat e fuqishme të showbiz-it amerikan.