Rikthehet pas 15 vitesh! Orges Shehi prezantohet si trajneri i ri i Partizanit


Orges Shehi është trajneri i ri i Partizanit në Superligë. Paraditen e kësaj të mërkure, në ambientet e klubit të kuq është bërë edhe prezantimi i 46-vjeçarit.

Përkrah tij ishte drejtori sportiv Arbër Abilaliaj, që bënte edhe rolin e trajnerit në javët e fundit. Pas afro 15 vitesh, Shehi rikthehet te “Demat e Kuq”, këtë herë si trajner.

Hera e fundit që durrsaku ishte pjesë e Partizanit ka qenë në 2009, kur la ekipin për të veshur dorezat e Besës, në kohën kur luante ende futboll. Pas largimit me gjyq nga Tirana dhe fitimit të lirisë, tanimë Shehi ka zgjedhur të kalojë te rivalët e bardhebluve, klub me të cilin në 120 ndeshje në drejtim fitoi edhe titullin e Superligës.

Në fjalën e tij, Shehi tha se rivaliteti mes klubeve është historik dhe nuk është ai i pari dhe as i fundit që do kalojë nga Tirana te Partizani, ose anasjelltas.

Emocionet e kalimit nga Tirana te Partizani? Dihet që ka dozë emocionale, të dyja klubet kanë rivalitet të madh sportiv. Jam i lumtur që po rikthehem te Partizani me objektiva të qarta. Shpresoj që 2024 të jetë një vit i suksesshëm si për mua si për klubin.

Partizani? Trajnerët nuk mendohen gjatë kur vijnë këto oferta, sepse janë klube historike, me ambicie dhe burime njerëzore që synojnë lart. Kalimi nga Tirana te Partizani? Jemi profesionistë dhe secili e gjykon sipas këndvështrimit të vet. Nuk jam as i pari as i fundit që e bën këtë gjë. Vlerësimi mbetet maksimal. Ndarja me Tirnaën? Çdo gjë, siç e shoh unë të jetë profesionale dhe jo personale“, tha Shehi mes të tjerash.