Rigjen të bijën pas 44 vitesh, e moshuara padit qeverinë koreane – zbulohet rrjeti tronditës i trafikut të fëmijëve për birësim në Perëndim
Për më shumë se katër dekada, Han Tae-soon jetoi me një plagë që nuk u shërua kurrë: zhdukjen misterioze të vajzës së saj gjashtëvjeçare pranë shtëpisë në Seul, në maj të vitit 1975. Ajo ditë fatale nisi thjesht – me një vizitë të zakonshme në treg. “E pyeta Kyung-ha-n: ‘Nuk do të vish?’ – por ajo më tha: ‘Jo, do të luaj me shoqet e mia’”, kujton znj. Han, sot 71 vjeçe.
Kur u kthye në shtëpi, e bija kishte humbur çdo gjurmë. E pabesueshmja do të dilte në dritë vetëm 44 vjet më vonë, kur përmes një përputhjeje të ADN-së, ajo zbuloi se vajza e saj kishte përfunduar në SHBA me një identitet krejtësisht tjetër – Laurie Bender, një infermiere amerikane në Kaliforni. Ribashkimi ndodhi mes lotësh në aeroportin e Seulit në vitin 2019, ku Han, duke i kaluar gishtat në flokët e Lauriet, tha: “Kam qenë parukiere për 30 vjet. Mund ta kuptoj nëse është vajza ime vetëm duke i prekur flokët.”
Tani, Han është bërë prindi i parë biologjik në historinë e Koresë së Jugut që padit shtetin për rolin e tij në këtë tragjedi. Ajo kërkon drejtësi për vetën dhe për mijëra familje të tjera koreane që, si ajo, ishin viktima të një sistemi të errët birësimesh të paligjshme jashtë vendit, i cili u zhvillua për dekada me mbështetje shtetërore të heshtur.
Koreja e Jugut, që nga vitet 1950 e deri në vitet 2000, ka eksportuar – termi nuk është i ekzagjeruar – mbi 170,000 deri në 200,000 fëmijë në vendet perëndimore përmes agjencive të birësimit, në një sistem që tani është shpallur nga raportet zyrtare si abuziv, i pakoordinuar dhe në shumë raste, kriminal.
Programi i birësimit jashtë shtetit nisi pas Luftës Koreane si një përpjekje humanitare për t’i dhënë shtëpi fëmijëve jetimë. Por ajo që nisi si ndihmë, shumë shpejt u shndërrua në një industri me përfitime milionëshe për agjencitë private dhe zyrtarë të lidhur me to. Nga viti 1980 deri në 1990, Koreja e Jugut dërgonte mijëra fëmijë në vit në SHBA, Suedi, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë e gjetkë.
Në vitin 1985, vetëm në një vit, mbi 8,800 fëmijë u dërguan jashtë shtetit. Fotografitë e kohës tregojnë avionë të mbushur me foshnje koreane të mbështjella në pelena, të lidhura me rripa në sedilje, të drejtuar për në Perëndim.
Në rastin e Kyung-ha, më pas Laurie, historia është tronditëse: ajo u mashtrua nga një grua e panjohur që e mori nga rruga me pretendimin se e njihte nënën e saj. Gruaja i tha se nëna e saj nuk e donte më dhe e çoi në stacionin e trenit, ku e la. Atje, ajo u kap nga policia dhe u vendos në një jetimore. Shpejt pas kësaj, ajo u dërgua me avion për në SHBA ku u adoptua nga një familje në Virxhinia.
Vitet më vonë, dokumentet e saj të birësimit rezultuan të ishin të falsifikuara: ajo ishte paraqitur si jetime, me prindër të panjohur. Në të vërtetë, nëna e saj biologjike kishte kaluar dekada të tëra duke e kërkuar.
Rasti i znj. Han është vetëm maja e ajsbergut. Një raport i publikuar nga Komisioni i Së Vërtetës dhe Pajtimit në Korenë e Jugut në mars 2025, pas një hetimi historik, zbuloi se qeveritë e njëpasnjëshme kishin neglizhuar mbikëqyrjen dhe kishin lejuar agjencitë e birësimit të operonin me pak ose aspak kontroll, duke falsifikuar dokumente, duke fshehur vdekjen apo statusin real të fëmijëve dhe duke bërë adoptime pa pëlqim prindëror.
Në disa raste, fëmijët që ishin rimarrë nga prindërit u zëvendësuan me të tjerë për të mos i kthyer tarifat e paguara për adoptim. Kishte raste kur nënave beqare u ishte thënë se foshnjat e tyre kishin vdekur në spital, ndërsa në të vërtetë ato ishin dërguar në agjencitë e birësimit për të përmbushur kuotat e vendosura nga agjencitë ndërkombëtare.
Sipas raportit, ky “transport masiv fëmijësh si ngarkesë” ishte i orientuar nga përfitimi financiar dhe mbështetej nga një retorikë humanitare që justifikonte largimin e fëmijëve nga Koreja.
Zonja Han, e cila u bashkua me grupin “325 Kamra” për të gjetur vajzën e saj përmes përputhjes së ADN-së, është sot figura që përfaqëson zërin e qindra prindërve koreanë që kanë mbetur në heshtje për dekada. Ajo kërkon që shteti të pranojë përgjegjësinë për atë që i ndodhi familjes së saj dhe të kompensojë dëmet që i janë shkaktuar.
“Askush nuk më kërkoi ndjesë. Askush nuk më ndihmoi. Kam kaluar 44 vjet duke kërkuar – më ranë të gjitha thonjtë e këmbëve nga rrugët,” thotë ajo mes lotësh.
Qeveria koreane, në një deklaratë për BBC-në, ka shprehur “keqardhje të thellë” për rastin dhe ka premtuar të ndërmarrë “masa të nevojshme në varësi të vendimit të gjykatës”.
Për vajzën e saj, Laurie, historia është po aq tronditëse: “Është sikur e gjithë jeta ime ka qenë një gënjeshtër. Nuk e dija kush isha. Nuk e dija nga vija.”
Ribashkimi e ka shëruar pjesërisht plagën e përbashkët, por pasojat e viteve të humbura dhe jetës së ndërtuar mbi një identitet të rremë mbeten.