Gjithçka gati në Riad për finalen e 41-të të Superkupës së Spanjës.
Real Madrid dhe Barcelona i kanë dhënë fund përgatitjeve për aktin e fundit për të tentuar titullin e parë në këtë sezon në futbollin iberik.
Plot 27 trofe në total të Superkupës së Spanjës do të zbresin sonte në fushë, me Barcelonën që kërkon ta thellojë në 15 tituj, teksa Real Madrid të barazojë katalanasit, pasi deri më tani ka triumfuar në 13 raste. Kryeqytetasit shihen të favorizuar në këtë pikë të sezonit, ndërsa një tjetër detaj është rekordi personal i Carlo Ancelottit kundër Barcelonës.
Ndaj këtij rivali, italiani ka triumfuar në 10 raste, barazuar 3 dhe humbur 10.
Kjo do të jetë finalja e 10-të e Superkupës që luhet mes këtyre skuadrave, aty ku dominimi i Real Madrid është i dukshëm. Në 7 raste kanë triumfuar “Los Blancos”, ndërsa në dy raste Barcelona. Finalja totalisht “El Classico” vlen edhe për financat.
Në total, fatura financiare është 40 milionë euro, 20 prej të cilave përfitohet nga ana e Federatës spanjolle dhe 20 të tjera mes klubeve si Barcelona, Real Madrid, Bilbao dhe Mallorca. Katalanasit dhe madrilenët kanë hipotekuar tashmë 6 milionë euro, teksa fituesi merr edhe 2 milionë euro të tjera në formë bonusi, ndërsa nënkampionët do kënaqen me 1 milionë euro shtesë.