Rezidenca e ish-diktatorit Enver Hoxha shndërrohet në ambient kulturor, Rama: Një shtëpi me fantazma u transformua në vepër arti

Sot është hapur “Vila 31 x Art Explora”, një rezidencë artistike që ka shndërruar ish-rezidencën e diktatorit Enver Hoxha në një hapësirë kulturore për të pritur artistë shqiptarë dhe të huaj. Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, ka theksuar se ky transformim është rezultat i një rrugëtimi të gjatë dhe një projekti të realizuar me sukses falë dy arkitektëve të angazhuar.

“Ka qenë një dilemë e gjatë për të vendosur se çfarë do të ndodhte me këtë godinë, me këtë shtëpi të mbushur me fantazma, dhe ka përfunduar me mënyrën më të mirë”, tha Rama. Ai ka falenderuar arkitektët për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, duke e transformuar këtë shtëpi, e cila deri tani ishte ngarkuar me histori të trishtuar, në një hapësirë frymëzuese dhe tërheqëse për artin dhe kulturën.

Ministri Gonxhe gjithashtu ka theksuar se ky hap është një mundësi për të “trembur fantazmën e Enver Hoxhës” përmes artit, duke sjellë një pjesë të Shqipërisë që integrohet me tregun dhe e gjen veten mirë përmes përfshirjes në këtë projekt kulturor.

Në këtë ngjarje të rëndësishme, Rama ka theksuar se hapja e qendrës ka përfunduar në një kohë rekord dhe është një shembull i vlerës së punës dhe përkushtimit.